( ( KsT-GrouP ) )
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumGalleryLatest imagesKërkoRegjistrohuidentifikimi

 

 Fati i Gjon Buzukut

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Enisi.1




Numri i postimeve : 635
Join date : 17/01/2009

Fati i Gjon Buzukut Empty
MesazhTitulli: Fati i Gjon Buzukut   Fati i Gjon Buzukut I_icon_minitimeSat Jan 17, 2009 7:01 pm

Fati i Gjon Buzukut

nga
Robert Elsie

I pari libër i vërtetë i shtypur në shqipe, ose të paktën i pari për të cilin
kemi dijeni, është një përkthim prej 188 faqesh i mesharit katolik, domethënë i
lutjeve dhe riteve të përcaktuara që prifti i lexon gjatë vitit në meshë, si edhe
shumë pjesë të marra nga librat e lutjeve katolike, psalmet dhe litanitë. Duke qenë
se të vetmes kopje të librit që disponojmë i mungon ballina dhe gjashtëmbëdhjetë
faqet e para, për fat të keq atij nuk i dimë as titullin e saktë dhe as vendin e
botimit. Në gjuhën shqipe njihet përgjithësisht si “Meshari”. Ajo që dimë është se
është shkruar në vitin 1555 nga një farë Gjon Buzuku, një klerik katolik nga
Shqipëria e Veriut.
Meshari origjinal i Gjon Buzukut përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh
teksti të shtypur, nga të cilat kanë mbetur 94 fletë ose 188 faqe. Duke qenë se
libri përmban tekste të njohura liturgjike dhe pjesë nga Dhiata e Vjetër dhe e Re,
ai nuk është shumë i vështirë për t’u interpretuar, me gjithë ortografinë e
ndërlikuar, gjuhën arkaike, gabimet e shumta të shtypit e mungesat e fjalëve. Të
188 faqet e tekstit përmbajnë 154 000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500
leksemash, dhe janë një minierë ari e vërtetë për leksikografët dhe gjuhëtarët
historikë.
Shumë pak dihet për autorin e këtij meshari të vjetër shqiptar. Ajo fije
informacioni që kemi për Gjon Buzukun vjen nga pasthënia e Mesharit, që
Buzuku e ka shkruar me dorën e vet në gjuhën shqipe, i ndërgjegjshëm për
përmasat historike të ndërmarrjes së tij:
“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gjā të
ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për
sā mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë
mernë sā i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot’ ynë atyne qi t’a duonë ëm
gjithë zemërë. U lus ënbas sodi mā shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë
ordhëninë e t’inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot’ ynë të ketë mishërier ënbī jū, e ata qi u
monduonë dierje tash, mā mos u mondonjënë. E ju t’ini të zgjiedhunitë e t’inë Zot, e për-herrë Zot’ ynë kā me klenë me jū, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue bām, Zot’ ynë ka(a) me shtuom ëndër jū, se të korëtë t’aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E u mā duo të ënbaronj vepërënë t’eme, t’inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. një-zet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë mā i ditëshim se u, ata faj e lus t’a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë mā e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t’anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj ‘ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dŷ anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë gjithëve, e lutëni t’enë Zonë ende për muo.”
Thuhet përgjithësisht se Buzuku nuk ka jetuar brenda Shqipërisë, por diku në Adriatikun Verior, në Republikën e San Markos, ndoshta në vetë rajonin e Venedikut, ku ishin vendosur familje refugjatësh shqiptarë pas pushtimit turk të Shkodrës më 1479. Në
Venedik Buzuku duhet të ketë pasur më shumë mundësi të shkollohet dhe të përgatitet si prift, se sa në Shqipëri.
Duke u nisur nga tiparet e gegërishtes veriperëndimore të përdorur në tekst, familja e
Gjon Buzukut duhet të rridhte nga ndonjë prej fshatrave në bregun perëndimor të liqenit të
Shkodrës, diku rreth Shestanit, që tani gjendet në Mal të Zi. Në tekst dalin edhe elemente të dialekteve të tjera, që ndoshta do të vërtetonin hipotezën se Buzuku u lind dhe u rrit jashtë Shqipërisë, vetëm po qe se është përpjekur me qëllim të përdorë një gjuhë që kuptohej më gjerësisht se sa dialekti i tij amtar. Gjuha e Buzukut jo vetëm që nuk ka asnjë fije nga ai ndikim i fortë turk që shfaqet në shqipen e mëvonshme, por ajo përmban edhe shumë tipare çuditërisht arkaike, që nuk gjenden gjetkë në shkrimet në këtë gjuhë. Për shkak të sistemit të ndërlikuar të shkrimit që ka përdorur, deri më tani këto tipare janë hulumtuar vetëm pjesërisht.
Studiuesit përgjithësisht pajtohen me mendimin se ky libër i parë shqiptar u botua në Venedik, ndonëse nuk mund të përjashtohet edhe hipoteza e qendrave të tjera botuese në bregdetin dalmat apo në Itali. Në atë kohë në Shqipëri dhe përqark saj nuk ka pasur shtypshkronja katolike, të paktën nuk ka të dhëna për ndonjë të tillë, ndonëse në atë rajon Kisha Ortodokse kishte shtypur libra në gjuhën serbe, me alfabetin cirilik, në shtypshkronja të ndryshme të importuara nga Venediku: në Mal të Zi: Obod më 1483 dhe Cetinje më 1494, në Graçanicë të Kosovës, më 1539, madje edhe në Shkodër më 1563.
Meshari në shqip u botua në alfabetin latin me stilin gjysmëgotik të Italisë së Veriut, ku
përfshihen edhe pesë shkronja me prejardhje cirilike për tingujt që nuk i kanë latinishtja dhe italishtja. Pra Buzuku dhe/ose punëtorët e shtypshkronjës së tij duhet të kenë pasur kontakt me serbo-kroatishten, sidomos me sistemin e shkrimit bukvica që përdorej në Bosnjë. Lloji i shkronjave është i ngjashëm me atë që përdorej në Venedik më 1523 dhe 1537, ku ishin botuar mesharë në alfabetin cirilik për katolikët e Bosnjës. Në studimin e tij të teksteve të lashta shqiptare, dijetari francez Mario Rok (Mario Roques, 1875-1961) vëren se Buzuku kishte huajtur nga sllavët katolikë të Bosnjës, Dalmacisë dhe Serbisë jo vetëm shkronjat cirilike dhe tipografinë venedikase, por ndoshta edhe vetë idenë që t’u jepte bashkëvendësve një meshar në gjuhën e tyre. Roku, gjithashtu, vë në dukje paralelizmat në përmbajtje me një meshar boshnjak të botuar më 1512, dhe sidomos disa elemente françeskane që në mënyrë të tërthortë mund të na tregojnë diçka më shumë për autorin dhe veprën e tij.
Misteri i Mesharit të Buzukut ndërlikohet edhe më tej nga fakti që vetëm një kopje e
tij ka mbijetuar në shekuj. Ai u zbulua rastësisht në vitin 1743 në bibliotekën e kolegjit
Propaganda Fide, nga kleriku jezuit Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) nga Gjakova, kur ky po
vizitonte Romën në cilësinë e Kryepeshkopit të Shkupit. Ai e përshkroi zbulimin e tij si “një
meshar i vjetër shqip i bërë copë nga koha.” Kazazi bëri një kopje të pjesëve të tekstit që ia dërgoi Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756), themelues i seminarit shqiptar në
Palermo. Ka të dhëna se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, libri bënte pjesë në koleksionin mbresëlënës të Kardinalit Stefan Borxhia, i cili më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit.
Pas shumë vitesh harrese, Mesharin e nxori përsëri në dritë Monsinjor Pal Skiroi (Paolo
Schirò, 1866-1941), një peshkop dhe dijetar arbëresh nga Sicilia, i cili e fotokopjoi tekstin në vitin 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim dhe transkriptim të tij. Për fat të keq,
hulumtimet e gjera të Skiroit për Mesharin janë botuar vetëm pjesërisht. Në vitin 1929, u bënë edhe tri fotokopje të tjera nga studiuesi françeskan Justin Rrota (1889-1964), i cili botoi pjesë të Mesharit një vit më vonë në Shtypshkrojën Françeskane në Shkodër. Botimi i parë i plotë i tekstit u krye në vitin 1958 nga Namik Ressuli (1908-1985), botim që përfshin edhe një fotokopje dhe një transkriptim. Dhjetë vjet më vonë, gjuhëtari Eqrem Çabej (1908-1980) nxori në Tiranë një botim tjetër kritik në dy vëllime. Vëllimi i parë i Mesharit të Çabejt përmban një studim hyrës me një transliterim të të gjithë tekstit; vëllimi i dytë përmban një faksimile të origjinalit dhe një transkriptim fonetik që është mjaft i dobishëm, po të kemi parasysh ortografinë shpesh të parregullt të Buzukut.
Shumë vëzhgues kanë vrarë mendjen se pse është kaq i rrallë Meshari në shqipe i Gjon
Buzukut si dhe për mungesën e librave shqip në shekullin e gjashtëmbëdhjetë në përgjithësi.
Arsyeja gjendet në historinë e Kishës. Politikat e kishës katolike për botimet, sidomos për
botimet në gjuhët vendase, pësuan luhatje të mëdha gjatë viteve të Këshillit të Trentit (1545-1563) dhe më tej. Nën frymën e Reformës aq të nevojshme, Kisha fillimisht lejoi disa
përkthime të teksteve kishtare në gjuhët vendase, por shumë shpejt kjo politikë ndryshoi. Me riafirmimin e mësimeve tradicionale katolike të Kundër-Reformës, që shënoi fundin e
Rilindjes në Itali, dhe në atmosferën e përgjithshme të frikës dhe kërcënimit që sundonte gjatë Inkuizicionit, ajo shumë shpejt i futi të njëjtët libra në Indeks dhe i ndaloi.
Veçanërisht të rreptë ishin Indekset e viteve 1554-1555, pra pikërisht viti kur Buzuku
përfundoi Mesharin e tij, si dhe Indeksi i vitit 1559 nën papën Pali IV (r. 1555-1559).
“Versioni venedikas i indeksit të ri ndaloi opera omnia-t e rreth 290 autorëve, rreth katër herë më shumë se paraardhësi i vet, si dhe shumë tituj të tjerë të veçantë... Me tërheqjen e indeksit të viteve 1554-1555, Zyra e Shenjtë e Venedikut filloi të nxirrte dekrete të veçantë...
Pesëdhjetë e shtatë njerëz të librave u thirrën të paraqiteshin tek Zyra e Shenjtë më 22 gusht 1558, ku u njoftuan se ndalohej botimi i Biblës në gjuhët vendase... Indeksi i ri u shtyp dhe u shpërnda në Romë në janar të vitit 1559. Indeksi i Palit IV ndalonte opera omnia-t e rreth 550 autorëve, gati dyfishi i numrit të autorëve të përfshirë në indeksin e viteve 1554-1555, si edhe shumë tituj të tjerë... Indeksi i Palit IV futi në Itali një tipar të indekseve të mëparshme të Evropës Veriore; ai dënonte posaçërisht rreth gjashtëdhjetë variante të shtypura dhe të botuara të Biblës. Ai ndaloi gjithashtu edhe shtypjen dhe zotërimin e Biblave në çfarëdo gjuhe vendëse, përveç rasteve kur kjo bëhej me lejen e Inkuizicionit... Në Romën e Palit IV, ku edhe kardinalët e mbanin gojën mbyllur nga frika e Inkuizicionit, indeksi i ri krijoi paralizim e tmerrim dhe çoi në asgjësimin e një numri të madh librash” (P. F. Grendler: The Roman Inquisition and the Venetian Press, 1540-1605. Princeton 1977, f. 95, 115-117). Meshari i Gjon Buzukut, i shkruar në një gjuhë që nuk mund ta kuptonte askush në rrethet e larta kishtare, jo vetëm që mund të jetë konsideruar si një kërcënim heretik, por atij edhe i iku koha shumë shpejt mbasi u shkrua. Në vitin 1563, Këshilli i Trentit, në një prej dekreteve të tij të fundit, kërkoi rishikimin e dy prej manualeve më të rëndësishëm liturgjikë të përdorur nga kisha: përmbledhjen e lutjeve dhe psalmeve, dhe mesharin. Versionet e reformuara të këtyre manualeve dolën në vitin 1566, bashkë me një katekizëm të ri. “Secila vepër u paraqit me anë të një dekreti të Papatit, që shprehte lumturimin e madh për botimin e saj, tregonte se duhet të përdorej në të gjithë krishterimin katolik dhe ndaloi shumicën e versioneve më të vjetra” (Grendler: op. cit. f. 169).
Ndaj, edhe sikur Meshari i Buzukut, kundër të gjitha gjasave, t’i kishte shpëtuar
vëmendjes së Inkuizicionit, atij shumë shpejt do t’i kalonte koha dhe do të bëhej i
papërdorshëm. Shumë vepra liturgjike dhe fetare u ndaluan ose hoqën nga qarkullimi në
periudhën tridhjetëvjeçare në vijim, nga 1568 deri më 1598. Po të kemi parasysh ndikimin e
Këshillit të Trentit dhe të Inkuizicionit, që në kohën e shkrimit të Mesharit ishte në kulmin e
vet, është vërtet një mrekulli që ka mbijetuar qoftë edhe kjo kopje e vetme e Mesharit në
gjuhën shqipe. Për fatin e autorit nuk dihet.

[botuar në gazetën Shekulli, Tiranë, 14 qershor 2006, f. 18-19 / Published in the newspaper
Shekulli, Tirana, 14 June 2006, p. 18-19]
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Fati i Gjon Buzukut
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» "Meshari" i Gjon Buzukut

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
( ( KsT-GrouP ) ) :: Shkenca :: Gjuhë Shqipe-
Kërce tek: